Welcome

Mireserdhet

Kerko ne Blog

11.7.11

Australi, vendoset taksa për ndotjen

Kryeministrja australiane, Julia Gillard, në një konferencë për shtyp në Parlamentin australian, bëri dje publik planin e qeverisë së saj, për të vendosur taksa mbi kompanitë që prodhojnë më shumë dyoksid karboni dhe ndotin rëndë mjedisin, duke nisur prej vitit 2012. Australia do të vendosë kështu taksën e karbonit për të ndëshkuar ndotësit më të mëdhenj të atmosferës.
Aktualisht vetëm Bashkimi Europian dhe Zelanda e Re kanë vendosur taksa në nivel kombëtar për emetimet e dyoksidit të karbonit (e ashtuquajtura taksa e karbonit). Në të kaluarën, qeveritë australiane kanë tentuar më kot për të aprovuar një masë të tillë në Parlament. Kryeministrja Gillard tha se duke filluar që nga viti që vjen, do të paguhen taksa për gazin e lëshuar në hapësirë, pasi sipas saj, duhet vendosur një çmim për dyoksidin e karbonit për të krijuar një të ardhme për energjinë e pastër. Plani i ilustruar në Parlament nga Kryeministrja parashikon që, duke nisur nga 1 korriku i vitit 2012, kompanitë që çlirojnë të paktën 25.000 tonë dyoksid karboni në vit do të taksohen për rreth 23 dollarë australianë (rreth 17 euro) për ton. Gillard tha gjithashtu se 500 kompani, përfshirë kompanitë prodhuese të çelikut dhe aluminit, do të paguajnë 23 dollarë australianë për çdo ton karbon, duke filluar që nga viti i ardhshëm, e do të rritet me 2.5 për qind në vit deri më 2015-n. Sipas Gillard, plani do të reduktojë me 159 milionë tonë ndotjen deri në 2020. Para votimit në Parlament, Kryeministres i duhet të ndërmarrë një fushatë të gjerë për të bindur publikun e gjerë mbi skemën në fjalë. Australia ka një ndër sasitë më të larta të emetimit të gazrave serrë për person në botë, duke qenë se pjesa më e madhe e energjisë elektrike të vendit, rreth 80 për qind, varet nga qymyri. Debati për taksën e karbonit është shumë i gjallë në Australi prej muajsh. Kritikët mendojnë se çmimi i të mirave për konsum do të rritet me 1 për qind dhe sondazhet tregojnë se 60 për qind e popullsisë është kundër kësaj mase: industria energjetike dhe opozita vendase kanë protestuar shumë kundër planit të ri, duke organizuar manifestime muaj më parë në të gjitha qytetet australiane. Qeveria shpreson të rifitojë besimin e konsumatorëve me një rritje në të ardhmen për shpenzimet e shëndetit publik dhe pensionet, që do të bëhen të mundura me paratë e fituara nga taksa për emetimet. Julia Gillard është Kryeministre e Australisë që prej 2010-s dhe vjen nga Partia Laburiste. Edhe pse në muajt e fundit është përballur me një rënie të madhe popullariteti, po përpiqet të përmirësojë imazhin saj në këto dy vjet që kanë ngelur nga zgjedhjet e ardhshme politike. Taksa për emetimin e dyoksidit të karbonit është masa më e rëndësishme e strategjisë së saj, që përpiqet të përqendrohet te manovrat ekonomike të lidhur me masat për mjedisin, për të cilat mund të mbështetet edhe tek australianët e “gjelbër”. Përveç BE-së, vetëm Zelanda e Re ka një skemë kombëtare të karbonit. Brenda unionit, 27 vendet anëtare të BE-së si dhe Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, kanë detyruar prodhuesit e energjisë për të paguar për emetimet e karbonit, duke nxitur industrinë për prodhimin e energjisë së pastër.

Nessun commento:

Posta un commento