Vëzhgim për hetimet dhe seancat gjyqësore në Tiranë. Të akuzuarit fitojnë pafajësinë dhe rikthehen në vendin e punës
Korrupsioni i “bluzave të bardha” vazhdon të mos ndëshkohet. Proceset e bujshme hetimore dhe gjyqësore janë “shfryrë” në maksimum, ku “faji” është i të gjitha palëve në proces. Sipas vëzhgimit të gazetës “Shqip”, mbi 80 për qind e dosjeve që hetohen nga prokuroria për abuzimet e mjekëve gjatë detyrës apo për mitmarrje, dështojnë. Mjekët marrin pafajësi dhe rikthehen në të njëjtin vend pune. Gjykata ka dhënë disa pafajësi për këtë kategori veprash penale, që ka ndikim të madh në opinionin publik, ndërsa prokuroria ka tërhequr aktet e dosjes në disa procese të tjera gjyqësore, duke mos dashur të bëhet faktor në këto hetime. Ndërkohë, të vetmit që kanë të drejtë në këto procese penale janë të pandehurit dhe avokatët mbrojtës, duke fituar në këtë mënyrë “betejën” me drejtësinë. Tashmë korrupsioni i “bluzave të bardha” është “ligjëruar” me vendim gjykate.Rastet
Një ndër rastet më flagrante është edhe dosja ndaj mjekut Xhevair Hoxhallari, i akuzuar për vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti nga Pogradeci, e cila ndërroi jetë pas një operacioni nga bajamet në verën e vitit 2008. I arrestuar me “bujë” nga policia e prokuroria, mjeku Hoxhallari është mbrojtur në gjykatë me të gjitha mjetet, madje ka detyruar organin e prokurorisë që të kërkojë edhe tërheqjen e dosjes nga gjykata me argumentimin e rishikimit të saj. Në këtë mënyrë, u sfumua një tjetër çështje penale apo hetim ndaj “bluzave të bardha” në Shqipëri. Në seancat gjyqësore ndaj mjekut Hoxhallari, akuza thirri për dëshmi mjekë, ekspertë mjekoligjorë dhe familjarët e vajzës. Në të shumtën e rasteve, dëshmitarët fajësuar Hoxhallarin. Çështja u zvarrit në gjykatë dhe në momentin që do të jepej konkluzioni përfundimtar prokuroria tërhoqi aktet dhe si rrjedhojë, edhe akuzat ndaj këtij mjeku.Ndërkohë, një nga rastet më të diskutuara në opinionin publik ka qenë edhe ngritja e akuzës ndaj mjekut Kastriot Dautaj, i cili u denoncua publikisht edhe për trafik organesh. Mjeku është akuzuar për disa episode dhe një nga rastet ka qenë vdekja e Flamur Metushit. Sipas vendimit të gjykatës, janë pyetur disa dëshmitarë dhe në fund nuk ka rezultuar që Dautaj të ketë gabuar në mjekim. Një tjetër rast i veprimeve korruptive është ai i muajit maj viti 2002 ku Dautaj pas konsultës që i ka bërë pacientes Zyra Ismail Ago ka vendosur ta operojë atë në spitalin shtetëror. Pas operacionit, të afërm të pacientes Zyra Ago, pikërisht bashkëshorti i saj Bajrami, i ka dhënë një shumë prej 30 000 lekësh. Më vonë, Zyraja ka konstatuar se gjatë operacionit asaj i ishte hequr njëra nga veshkat dhe se për këtë fakt, ajo nuk ishte vënë në dijeni nga mjeku. Bashkëshorti i saj, Bajrami është paraqitur në gjykatë ku tha se “Dautajn në vitin 2008 e akuzova për heqje veshke e për shitjen e saj në Kosovë, vetëm për këtë e kam akuzuar dhe e akuzoj, dhe këtu për këtë kam ardhur të dëshmoj edhe sot”. Në seancë gjyqësori, dëshmitari nuk është pyetur në lidhje me këtë akuzë, por me mitmarrjen. Rasti i fundit që u gjykua Dautaj ishte pas operimit të pacientes Liljana Hoxha. Prokuroria ka vëzhguar një bisedë midis mjekut dhe babait të pacientes, ku bisedohet për një shumë ryshfeti për operacionin. Në biseda duket qartë se Ibrahim Haka i lë në tavolinë mjekut 50 mijë lekë dhe Dautaj, pasi refuzon, i thotë “lëri aty mos u bezdis... Lëri në vend aty je i nderuar...”. Në fund, gjykata vendosi pafajësi për Kastriot Dautajn.
Një tjetër “dështim” i drejtësisë për ngritjen e akuzave ndaj mjekëve është edhe rasti i vdekjes së pacientes Arta Haldeda. Për këtë ngjarje, u akuzuan mjekët toksikologë Shpresa Thomai dhe Avenir Balili. Rezultonte se pacientja kishte disa probleme dhe këta mjekë nuk i dhanë mjekimin e duhur. Megjithatë, pas shqyrtimit gjyqësor, akuza tërhoqi dosjen dhe si rrjedhojë, dy mjekët nuk janë persona nën hetim.
Një ndër rastet pak “të suksesshme” për dënimin e bluzave të bardha i përket një “grupi” që merrte para për lindje me operacion. Një shtetas kallëzoi disa persona se i kishin kërkuar 70 mijë lekë dhe në këtë rast, është futur në lojë edhe prokuroria. Në fund, pas shqyrtimit gjyqësor, gjykata dënoi vetëm kryeinfermieren, ndërsa doktori dhe stafi i tij u shpall i pafajshëm.
Nessun commento:
Posta un commento