Me katër orë vonesë nga lajmërimi për seancën gjyqësore, Kolegji Penal i kryesuar nga Adrian Dvorani ka dhënë vendimet për kërkesat paraprake të mbrojtjes, duke rrëzuar atë më kryesoren, të pushimit të cështjes penale.
Në serinë e kërkesave të mbrojtjes, Gjykata e Larte rrëzoi edhe atë të mosthirrjes si dëshmitar të Dritan Priftit për shkak se ky i fundit është i pandehur në një cështje që ka lidhje me të, duke i dhënë të drejtën prokurorisë për ta patur deputetin si dëshmitarin e parë në listën e saj.
Por në favor te zotit Meta u dha vendimi për mospranim të aktit të ekspertimit të videoregjistrimit të bërë nga amerikanët dhe britanikët, duke e vlerësuar se ajo ishte kryer jashtë procedurave ligjore.
Por, ndërsa gjykimi nisi, prokuroria në kërkesat e saj për shqyrtim nguli këmbë që të jenë sërish po të njëjtët ekspertë ata që do të kryejnë aktin e ekspertimit, këtë radhë të vlefshëm dhe me leje të gjykatës.
Mbrojtja në këtë pikë kundërshton ekspertët e huaj dhe kërkon ata shqiptarë, duke përmendur faktin se, edhe në raste të tjera gjykata ka përdorur ekspertë vendas dhe jo të huaj.
Për pak ore me pare, trupi gjykues u tërhoq për vendim, por e la ta cmojë më vonë se kush do të jetë eksperti për videoregjistrimin ku shfaqet zëvendëskryeministri Ilir Meta, i cili sipas akuzës i kërkon ish-ministri Prifti të favorizojë disa firma në tenderat publikë.
Senaca e radhës në 22 korrik do të fillojë me një listë dëshmitarësh, ku i pari në radhë do të jetë zoti Prifti, i cilësuar si dëshmitari kryesor në këtë cështje dhe me radhë pas tij një numër biznesmenësh, si Rezart Taci, vëllezërit Ymer e Skënder Tola, Agim Rrapaj, e të tjerë.
Prokurorisë i janë pranuar të gjitha provat e tjera si videoregjistratori i zotit Prifti, apo edhe transmetimi i videos në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel, si dhe i gjithë dokumentacioni përkatës i tenderave të zhvilluar në Ministrinë e Ekonomisë.
Ndërsa mbrojtjes i është pranuar një ekspertim i videoregjistruesit dhe regjistrimit i bërë në Itali, si dhe procedura e kërkesës së prokurorisë në vitin 2002 për heqjen e imunitetit të zotit Prifti.
Pas seancës, avokatët e Ilir Metës bënë këtë deklaratë: “Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria kanë praktika që ekspertët i kanë gjetur në Shqipëri. Ekspertët i kanë gjetur në Shqipëri, ata janë këtu pranë nesh dhe mund ta bëjnë më mirë ekspertizën”.
Nessun commento:
Posta un commento