Welcome

Mireserdhet

Kerko ne Blog

11.7.11

Motorët e ujit, ngrihet vendbanimi i parë i tyre në plazhin e Golemit

Ngrihen hapësira të sigurta dhe sistem kontrolli për zhvillimin e sporteve të ujit

Makthi i pushuesve për jetët e rrezikuara në det nga motorët e ujit në det duket se është drejt fundit. Në plazhin e Golemit është ngritur vendbazimi i parë i tyre i shoqëruar me një sistem kontrolli. Galip Ramadhi, nënprefekti i Kavajës, thotë se ky është i pari vendbazim në bregdetin e Kavajës dhe se ngritja e tij do të ofrojë një sezon turistik më të suksesshëm këtë verë. Bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe subjektit privat në ngritjen e hapësirave të sigurta për të bërë banja dhe argëtuar me sportet e ujit pa vënë në rrezik jetë njerëzore është përshëndetur nga drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare dhe Migracionit, Sajmir Boshnjaku.
Dy vjet më parë, një pushues nga Kosova humbi jetën në det, teksa u godit në kokë nga një motor uji që lëvizte në të njëjtën hapësirë ujore. Deklarimet për masa të shpejta ndaj fenomenit gjetën hezitimin e njësive të pushtetit vendor lidhur me caktimin e hapësirave të posaçme, ku të rinjtë mund të ushtrojnë pasionet e tyre të ujit. Në këto dy vjet përcaktimi i vendbazimeve për motorët e ujit është shtyrë në kohë dhe shpesh policia kufitare ka akuzuar për mosbashkëpunim bashkitë e komunat bregdetare. Tashmë vendbazimi i parë është bërë realitet dhe u zyrtarizua mesditën e së dielës, ndërkohë që brenda javës në vazhdim një tjetër vendbazim pritet të vihet në funksionim për plazhet e Durrësit dhe Shkëmbit të Kavajës. Në promovimin e vendbazimit merrte pjesë dhe Genci Alizoti, prefekt i Qarkut të Durrësit, i cili pohoi se përdorimi i motorëve të ujit mbetet një problem për plazhet që ngrihen përgjatë bregdetit të rrethit të Durrësit dhe vënia në përdorim e vendbazimeve aq të kërkuara vitin e fundit, do të ofronte më shumë siguri për pushuesit shqiptarë dhe të huaj që i frekuentojnë këto plazhe.
Temperaturat e larta i kanë nxitur shumë qytetarë të lënë banesat dhe qytetet e zhurmshme e plot pluhur për të frekuentuar plazhet përgjatë bregdetit të Adriatikut. Fluksi i tyre ka sjellë trafik të rënduar në superstradën Tiranë-Durrës, si edhe në akset e tjera që e lidhin atë me plazhet e Gjirit të Lalzit, Shkëmbit të Kavajës, Golemit dhe ato më në Jug të vendit. Mbërritja në destinacion nuk ka qenë e shpejtë, por nuk janë raportuar aksidente, kjo dhe si pasojë e pranisë së shtuar të postblloqeve të policisë rrugore, që dhe përmes masave të shumta administrative është kthyer në parandaluese të shkeljes së rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjeteve. “Asnjë aksident automobilistik nuk është shënuar ditën e shtunë dhe të diel në rrugët kryesore të Durrësit dhe ato që dalin në bregdet, ndërkohë që kundërvajtësit janë ndëshkuar me gjoba për shkelje të ndryshme”, bëjnë të ditur burime zyrtare të Policisë së Qarkullimit Rrugor në Durrës. Në mbështetje të tyre prej ditësh kanë ardhur edhe shërbime të policisë rrugore të Kosovës.
Problem mbetet qarkullimi në rrethrrotullimin që ndodhet në zonën e Plepave, ku punimet janë ndërprerë ose zvarriten me ritmin e “breshkës”. Megjithatë pas kohës së shpenzuar në trafik mbërritja në plazh ofron të tjera kënaqësi, por edhe probleme.

Nessun commento:

Posta un commento