Sarandë
Punëtoret e gjelbërimit janë jashtë rrezikut për jetën
Një sherr me armë pranë qendrës së qytetit, në mes të sezonit turistik, për pak u ka marrë jetën dy grave të pafajshme, të cilat thjesht ndodheshin në vendin e gabuar në momentin e gabuar.Sipas Policisë së Sarandës, mëngjesin e ditës së djeshme ndodhi një përplasje mes disa qytetarëve, të cilët kishin një konflikt në lidhje me një objekt në ndërtim.
Pas sherrit me fjalë, njëri prej personave të përfshirë në konflikt ka shtënë me armë në drejtim të ndërtesës së kundërshtarëve. Ai mësohet se ka shtënë me një automatik kallashnikov, jo për ta vrarë njeri, por për ta trembur kundërshtarët e tij.
Menjëherë pas shkrepjes së armës në afërsi të qendrës së Sarandës, në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur forca të policisë së qytetit. Kur uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje, është mësuar se pasojat e hapjes së zjarrit nuk kishin prekur sherrxhinjtë, por dy gra të pafajshme që punonin disa qindra metra më tutje. Plumbat kanë përfunduar në buzë të detit, ku dy punëtore të pastrim-gjelbërimit ishin duke kryer detyrën e tyre në atë orë të mëngjesit.
Policia saktësoi se dy punëtore të gjelbërimit të firmës "Korsel" janë plagosur, ndërsa punonin buzë detit në afërsi të “Bar Limanit”. Zyrtarë të policisë lokale thanë se plumbat mund të kenë bërë rikoshet dhe kanë përfunduar në trupat e grave.
Kanë qenë punëtoret Lefteri Ahmeti 45 vjeç dhe Engjëllushe Mata, 44 vjeç, që e kanë pësuar nga plumbat e ardhur nga sherri për një ndërtim në lagjen nr. 1 të Sarandës.
Njëra nga gratë është plagosur në të ndenjura, ndërsa tjetra në krah dhe po të mos ishin çuar pa humbur kohë në urgjencën e spitalit të qytetit, do të ishte vënë në pikëpyetje jeta e tyre, për shkak të hemorragjisë. “Kanë shpëtuar për bukuri të Zotit, u shpreh kryeinfermieri i repartit të urgjencës, Lime Mehasi, pasi duke ardhur nga lart, mundësia më e madhe ishte që plumbat t’i kishin marrë në pjesë të kokës, që ishte me rrezik për jetën”.
Megjithëse sipas infermierit plumbat kanë rënë nga lart, policia nuk ka konfirmuar ende nëse bëhet fjalë për rikoshet apo jo. Burimet zyrtare policore konfirmuan vetëm faktin se plumbat kanë dalë nga shtëpia e banorit të Sarandës Artan Myrtaj dhe qëllimi ka qenë për të kërcënuar shtetasit Sinan Mata dhe Kosta Thanasi, të cilët po ndërtonin një kat pa leje përballë shtëpisë së tij.
Pas ngjarjes, të tre protagonistët e sherrit janë shoqëruar në komisariat, ku janë pyetur rreth ngjarjes dhe sidomos se si e dispononte armën e zjarrit ai që e shkrehu.
Oficerë policie kanë deklaruar se plagosja e dy punëtoreve ka ardhur si pasojë e rikoshetës së dy plumbave, të dalë nga arma e përdorur nga vendi në afërsi të objektit që është duke u ndërtuar në lagjen nr. 1 të Sarandës. Por këto deklarata të shpejta do të mund të vërtetohen vetëm pasi të bëhet ekspertimi shkencor.
Lefteri Ahmetaj dhe Engjëllushe Mata, dy punëtoret që kujdesen për lulishten pranë "Bar Limanit", thanë se kanë qenë fatkeqe që i ka gjetur plumbi duke qenë aq larg sherrit dhe në punën e tyre të përditshme, duke mos pasur asnjë lidhje me atë që ndodhte katër rrugë më lart.
Nga ana tjetër, ato thonë se kanë qenë me fat të mirë, se mund edhe të mos kishin shpëtuar gjallë. "Me sa duket plumbat që na zunë nuk kanë qenë dhe aq ‘qorra’, se ‘na panë’ që jemi hallexhesha e që rrojmë me punë dhe nuk na morën jetën fare”, tha njëra nga gratë.
Ato tregojnë se nuk humbën asnjë minutë për të marrë ndihmën mjekësore në urgjencën e spitalit të Sarandës, ku shërbimi është i organizuar mirë edhe ditëve të diela si në ditët e javës, megjithëse tani është stinë vere.
Ndërtimet pa kriter që kanë pushtuar çdo hapësirë të Sarandës këtë verë, kanë sjellë me vete edhe konfliktin e parë të armatosur, që për fat të keq ka shkaktuar edhe lëndime të njerëzve të pafajshëm.
Ngjarja e djeshme ka shkaktuar ndërkohë panik edhe në radhët e turistëve të shumtë, të cilëve përpos kaosit urbanistik, Saranda u ka ofruar këtë të diel edhe pasigurinë e jetës.
Nessun commento:
Posta un commento