Policia ka arrestuar autorin e të shtënave të një dite më parë në Sarandë, si pasojë e të cilave u plagosën aksidentalisht dy punëtore të pastrimit. Albert Arap Myrtaj, vjeç 31, banues në fshatin Trevllazër-Novoselë,u vu në pranga nga policia e Sarandës pasi ka kanosur shtetasin Sinan Mata, pronar firme ndërtimi, dhe dyshohet të ketë qëlluar me armë zjarri në drejtim të objektit në ndërtim ku si pasojë janë plagosur lehtë shtetaset E. M.,vjeç 45, banuese në Qafë-Gjashtë punonjëse e pastrimit e qytetit; L. A., vjeç 45, banuese në lagjen nr.4 Sarandë, punonjëse e pastrimit e qytetit.
Myrtaj kishte pasur një konflikt me ndërtuesin Mata si rezultat i shtimit të një kati shtesë të këtij të fundit në objektin e tij, ndërtim i cili sipas pretendimeve të Myrtajt i pengon fushëpamjen.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë për veprën penale “Kanosje”, “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Plagosje e lehtë nga pakujdesia” dhe “Prishje e qetësisë publike”.
Nessun commento:
Posta un commento