Një 42-vjeçar, baba i 3 fëmijëve, ka mbetur i vrarë mbrëmjen e së dielës në fshatin Oblikë të Komunës Ana e Malit.Agim Shullani u qëllua me armë zjarri, që dyshohet të ketë qenë pistoletë me silenciator, në afërsi të shtëpisë së tij në lagjen “Garuc” të Oblikës, rreth 8 km larg qytetit të Shkodrës. Policia e Shkodrës, vetëm pak orë pas ngjarjes ka ndaluar si të dyshuar për vrasjen e 42-vjeçarit shtetasit Riza e Naim Idrizi, babë e bir, fqinjë me viktimën. Megjithëse këta të fundit nuk e kanë pranuar akuzën, burime pranë Drejtorisë së Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se i kanë të gjitha provat e mjaftueshme që e provojnë vrasjen e Shullanit nga njëri prej të akuzuarve. Ndërkohë që nga të njëjtat burime mendohet që shkaku i vrasjes të ketë qenë konkurrenca mes palëve, pasi si viktima, ashtu dhe autorët punonin me furgonë të së njëjtës linjë, Shkodër-Oblikë. Madje, edhe pak ditë më parë kishin pasur një konflikt mes tyre.
Ngjarja
Krimi ka ndodhur rreth orës 22:45, në fshatin Oblikë. Shullani, babai i 3 fëmijëve, ka qenë duke u kthyer në shtëpinë e tij në lagjen “Garuc”, kur autorët e vrasjes i kanë zënë atij pritë. Sapo kanë dalluar siluetën e Agimit që po afrohet, autorët e kanë qëlluar atë disa herë me pistoletë. Ekspertë të policisë pohojnë se ka qenë goditja në kokë dhe në gjoks që e kanë lënë të vdekur 42-vjeçarin Shullani në vend. Kanë qenë kalimtarët e rastit, të cilët kur kanë parë një trup të shtrirë përtokë dhe të përgjakur, kanë njoftuar menjëherë policinë. Me të marrë informacionin, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë, të cilët kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë filluar hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Fillimisht janë marrë prova nga vendi i ngjarjes ku janë gjetur disa gëzhoja që i përkisnin një pistolete tip “Beretë”. Nga marrja në pyetje e banorëve në afërsi të vendit të ngjarjes policia ka konstatuar se asnjë nga ata nuk ka dëgjuar krisma, megjithëse kishte qenë natë dhe në raste të tilla krismat dëgjohen nga një distancë edhe më e largët se aq. Kjo i ka shtuar dyshimet e policisë që autori mund të ketë përdorur një armë me silenciator.
Nessun commento:
Posta un commento