Welcome

Mireserdhet

Kerko ne Blog

11.7.11

Furtunë te Vllaznia, ikën Shtubina?

Pas analizës, paralajmërime për Sinanin, Sukajn, Vajushin, Gocajn dhe Nallbanin

Një paraqitje e dobët në ndeshjen e kthimit ndaj Birkirkarasë, ku kualifikimi për në turin tjetër, edhe pse e kishin fituar ndeshjen e parë në transfertë, ishte në fije të perit, ka detyruar drejtuesit e lartë të klubit të reagojnë me dorë të hekurt brenda skuadrës. Sipas burimeve të besueshme pranë klubit kuqeblu, falë furtunës pas analizës së detajuar të paraqitjes së dobët, sidomos në pjesën e dytë të sfidës së të enjtes në “Loro Boriçi”, është përjashtuar Ndriçim Shtubina, ndërsa janë paralajmëruar dy mesfushorët Olsi Gocaj dhe Ilir Nallbani dhe tre sulmuesit Vjoresin Sinani, Xhevahir Sukaj dhe Armando Vajushi. Fakt është se në pjesën e dytë të ndeshjes, por mbi të gjitha 15 minutat e fundit, maltezët kanë qenë pranë kualifikimit, madje të gjithë e mbajnë mend atë rast të 14 sekondave të fundit, ku vetëm fati ishte me kuqeblutë, që topi i goditur nga një sulmues i Birkirkarasë, u përplas te një mbrojtës shkodran dhe për fat përfundoi në duart e portierit Vujadinoviç, i cili ishte i shtrirë në tokë. Një gol në ato momente i jepte kualifikimin Birkirkarasë. Humbjet e rasteve të shumta para portës kundërshtare, egoizmi i tepruar të individëve të veçantë, mosimpenjimi sa duhet në pjesën e dytë, duke vënë në rrezik serioz kualifikim, kanë detyruar drejtuesit e klubit të bënin një analizë të detajuar rreth katër orë përpara një monitori, ku janë verifikuar gabimet e çdo lojtari dhe marrja e masave kundër tyre. Këto masa nuk janë ende zyrtare, por burime të mirinformuara pranë klubit kanë zbuluar gjithçka. I kryqëzuari është mesfushori Ndriçim Shtubina. Ai është aktivizuar në 9 minutat e fundit në takimin e parë në Maltë dhe 45 minutat e pjesës së dytë në Shkodër, por rendimenti i tij nuk ka qenë ai që pritej. Krerët e klubit duket se kanë vendosur, që nga dita e djeshme, ta lënë të lirë mesfushorin e krahut, kontrata e të cilit me Vllazninë në fakt ka skaduar që më 20 maj. Megjithëse ishin ulur dy herë në tavolinë, ai dhe presidenti Fusha nuk kishin mundur të gjejnë një marrëveshje financiare (diferenca mes tyre ishte 10 mijë euro), ndaj u la i lirë. Por në mungesë të përforcimeve në merkato u rikthye në skuadër vetëm për ndeshjet e Vllaznisë në Europa League. Por edhe kjo marrëveshje duket se është prishur para kohe. Ndërsa mes pesë të paralajmëruarve është veterani Sinani. Arsyeja është për paraqitjen jo të mirë në ndeshjen e kthimit ndaj Birkirkarasë, ku u aktivizua në minutën e 63-të. Bashkë me të, paralajmërime kanë shkuar edhe për Sukajn dhe Vajushin, pasi sulmi ka qenë edhe shënjestra kryesore e kritikave për rastet e shumta të humbura. Vala e paralajmërimeve ka kapur edhe dy mesfushorët Olsi Gocaj dhe Ilir Nallbani. I pari ka qenë realisht ndoshta më i dobëti i shkodranëve në takim, pasi është zëvendësuar që me fillimin e pjesës së dytë, ndërsa për të dytin mund të ketë ndonjë rezervë, por jo për të shkuar deri aty sa për ta paralajmëruar njëlloj si të tjerët.

Nessun commento:

Posta un commento