Welcome

Mireserdhet

Kerko ne Blog

12.7.11

Makinat që nuk do të përfitojnë nga heqja e doganës

Të gjitha makinat me targa të huaja që qarkullojnë aktualisht në territorin e vendit nuk do të përfitojnë nga heqja e doganës. E njëjta gjë vlen edhe për ato automjete që futën në vend deri në hyrjen në fuqi të sistemit të ri të taksave për makinat, gjë e cila pritet të ndodhë vetëm në muajin shtator. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj shfrytëzoi mbledhjen e djeshme të Këshillit Konsultativ të Biznesit ku i diskutuan edhe taksat e reja për makinat, për të shpjeguar diferencën midis ligjit për faljen, i cili parashikon përgjysmimin e doganës për makinat e futura deri në fund të vitit 2010 dhe heqjes së doganës për makinat, nga e cila përfitojnë vetëm ato automjete të cilat futen rishtazi në Shqipëri, pas shtatorit të këtij viti.
Me fjalë të tjera, ata që kanë futur makinat deri në fund të vitit 2010, duhet të paguajnë gjysmën e doganës duke përfituar faljen e gjysmës tjetër dhe nuk përfitojnë nga ligji i ri. Ndërsa, ata që kanë futur makinat gjatë periudhës Janar-Shtator 2011 (kur Ministria e Financave parashikon që ligji i ri të hyjë në fuqi), duhet të paguajnë doganën e plotë. Në këtë formë, ligji i ri nuk prek makinat me targa të huaja që qarkullojnë aktualisht në rrugët e Shqipërisë.
Nëse marrim të mirëqenë fillimin e aplikimit të taksave të reja të makinave në shtator të këtij viti, përllogaritet që për makina të hyra në vend brenda një periudhe kohore jo më të gjatë se 10 muaj, të vilen tre lloje të ndryshme taksash. Grupi i pare qytetarëve që prekën, ndoshta edhe më i madhi, janë ata që kanë futur makinat në vend para 31 dhjetorit të vitit 2010. Ligji për faljen u lejon të gjithë pronarëve të makinave me targa të huaja që kanë hyrë në vend para kësaj periudhe, të paguajnë gjysmën e principalit të doganës në mënyrë që të përfitojnë falje e gjysmës tjetër dhe të të gjitha gjobave apo kamatëvonesave.
Grupi i dytë, janë ata që kanë futur apo do të fusin makina përgjatë periudhës Janar-Shtator 2011. Këta të fundit duhet të paguajnë doganën sipas formulës: Cilindratë X Koeficient karburanti X Vjetërsi. Sipas zv/ministrit të financave, ky nivel dogane për këtë grup do të jetë i njejtë edhe pas hyrjes në fuqi të taksave të reja në muajin shtator.
Grupi i tretë janë ata që do të fusin makinat pas hyrjes në fuqi të sistemit të ri të taksave. Këta të fundit nuk paguajnë doganë, përveç Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në momentin e hyrjes së automjetit. Më pas, makina i nënshtrohet taksës vjetore, e cila bazohet tek cilindrata e makinës, viti i prodhimit dhe lloji i karburantit që përdor. Sa më e vjetër makina që më shumë paguan pronari i saj.
Krahas kësaj, ligji parashikon një taksë të re për naftën dhe benzinën, e cila u mbivendoset taksave dhe detyrimeve të tjera duke i shtrenjtuar edhe më tepër karburantet.
Sistemi i ri i taksave penalizon të tre grupet e mësipërme por më shumë ata që i kanë makinat e targuara, pasi ata e kanë paguar doganën ndërkohë që do të duhet të blejnë edhe më shtrenjtë karburantin. Një litër naftë apo benzinë pritet të shitet 5 lekë më shtrenjtë gjatë periudhës shtator-dhjetor 2011 dhe 7 lekë më shtrenjtë nga sot duke filluar nga 1 janari 2012.
3354
Mjete me zero kilometra janë regjistruar gjatë vitit të shkuar në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor. Sipas ligjit të ri, këto makina nuk paguajnë taksë vjetore deri në tre vjet


Shembuj
Si variojnë detyrimet për makinë të njejtë sipas ligjeve të ndryshme
Makinë me naftë, cilindratë 2 000 kubik, viti 1999

Ligji i vjetër
Dogana me ligjin e vjetër përllogaritej me formulën : Cilindratë X Taksë fikse për karburantin X koeficient fiks për vit prodhimi. Në rastin tonë, dogana e makinës do të përllogaritej në këtë formë: 2 000 (Cilindrata) X 25000 (taksa fikse për karburantin) X 0,0048 (koeficienti për makinat mbi 10 vjet) = 240 000 lekë. Kaq duhet të paguante pronari i kësaj makine me ligjin e vjetër.
Nëse makina ka hyrë para vitit 2010, pronari i kësaj makine paguan 50 % të doganës, pra jo më 240 000 lekë, por 120 000 lekë.

Ligji aktual
Formula e përllogaritjes së doganës sipas ligjit aktual është: Cilindratë X Koeficient fiks për karburantin (25 për naftën dhe 20 për benzinën) X Koeficientin për vjetërsinë (0.5 për çdo vit)
Në rastin tonë dogana e të njëjtën makinë përllogaritej në këtë formë 2 000 (Cilindrata) X 25 (koeficienti i naftës) X (12 vjet X 0.5) = 300 mijë lekë është dogana që paguan me ligjin aktual pronari i një makinë të tillë
Nëse makina ka hyrë gjatë periudhës Janar-Shtator 2011, dogana paguhet e plotë, pra 300 mijë lekë

Ligji i ri
Sipas ligjit të ri, makinat nuk paguajnë doganë por një taksë vjetore e cila përllogaritet sipas formulës: Cilindratë X Koeficient fiks për karburantin (25 për naftën dhe 20 për benzinën) X Koeficientin fiks për vjetërsinë.
Në rastin tonë, taksa vjetore e këtij mjeti përllogaritej në këtë formë: 2 000 X koeficient fiks për karburantin (20 benzinë dhe 25 naftë) X 0.32 (Koeficient fiks për makinat me vjetërsi 12 vjet) = 16 000 lekë. Kaq është taksa vjetore që paguan pronari i këtij mjeti. Taksa rritet me kalimin e viteve
Makinat që futën në Shqipëri pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk paguajnë doganë


Paketa fiskale, biznesi kundërshton shtrenjtimin e karburanteve
Ligji i ri i qeverisë që parashikon heqjen e doganës së makinave nga një anë si dhe shtrenjtimin e karburanteve nga ana tjetër nuk është pritur mirë nga grupet e biznesit. Këta të fundit janë shprehur të shqetësuar për këtë nismë duke theksuar se shtrenjtimi i naftës dhe benzinës i bën ata më pak konkurrues në raport me bizneset e rajonit, të cilët e blejnë karburantin me çmime më të lira se Shqipëria. Shqetësimi është bërë publik nga kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jakaj, i cili bëri edhe një krahasim midis çmimeve të karburanteve në Shqipëri dhe vendeve të tjera përreth. Karburantet, por edhe paketa fiskale e qeverisë, e cila parashikon uljen e akcizës për birrën, rritjen e saj për mazutin dhe nënprodukte të tjera të naftës u bënë shkak për debate midis përfaqësuesve të biznesit dhe zëvendësministrit të Financave, Alfred Rushaj dje gjatë mbledhjes së radhës të Këshillit Konsultativ të Biznesit, organ me të cilin qeveria diskuton ligjet që kanë të bëjnë me biznesin para se t’i miratojë ato. Në lidhje me kërkesën për uljen e çmimit të naftës, Rushaj theksoi se qeveria është duke aplikuar një nivel të pranueshëm taksash duke marrë si shembull, akcizën, e cila momentalisht është 37 lekë për litër si për naftën ashtu edhe për benzinën.
Paketa fiskale e qeverisë, përmban taksat e reja për makinat, sistemin e ri të akcizave për birrën dhe disa nënprodukteve të tjera të naftës si dhe heqjen e detyrimeve doganore për lenden e parë për importin e veshjeve të gatshme dhe industrisë së konfeksioneve, ndryshime të cilat prekin xhepat e pjesës më të madhe të familjeve shqiptare.
Krahas heqjes së doganës për makinat dhe shtrenjtimit të karburanteve, një ndër ndryshimet e rëndësishme të paketës është ulja e akcizës për birrën, si dhe vjelja në katër fasha e saj bazuar në sasinë e prodhimit dhe jo në dy siç është deri më tani. Aktualisht, akciza për birrën varion nga 30 deri 40 lekë për litër në varësi të kapacitetit prodhues të fabrikës, ndërkohë që me ligjin e ri ajo propozohet të fillojë me 10 lekë për litër për prodhuesit e vegjël deri në 30 lekë për litër për prodhuesit e mëdhenj.
Qeveria gjithashtu propozon heqjen e tarifave doganore për veshjet e gatshme që vijnë nga Bashkimi Europian si dhe për lendet e para për industrinë e konfeksioneve në vend.
Përfaqësues të tjerë të biznesit kërkuan nga Ministria e Financave ndërmarrjen e politikave që lehtësojnë bërjen e biznesit në vend. Një ndër to, sipas kreut të Biznes Albanias, Luan Bregasi do të ishte ulja e mëtejshme e barrës fiskale. Miratimi i kësaj pakete pritet të sjellë një rritje të lehtë të të ardhurave në buxhetin e shtetit, por ndikimi më i madh pritet të jetë tek xhepat e shoferëve të cilat do të duhet që karburantin ta blejnë më shtrenjtë se më parë.

Nessun commento:

Posta un commento