PRISHTINE- Vizita dhe ndikimi i politik i Sali Berishës në Kosovë, e kishin brengosur kryeministrit Hashim Thaçi, verën e vitit 2009, pak muaj para zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit. Në një bisedë private zyrtarë të Ambasadës amerikane në Prishtinë, më 13 gusht 2009, Thaçi ishte shprehur i brengosur nga “përzierja në politikën e Kosovës” që sipas tij bën kryeministri i Shqipërisë.
Kështu thuhet në një kabllo ende të pabotuar diplomatike, pjesë e dosjes së WikiLeaksit, që është dërguar nga Ambasada amerikane në State Departament, dhe një kopje të së cilës e posedon “Koha Ditore”.
“Në një bisedë private menjëherë pas takimit, Thaçi i tha të ngarkuarit me punë se ishte i brengosur nga përzierja e kryeministrit Sali Berisha në politikën e Kosovës”, thuhet në kabllo, që flet për takimin e Thaçit me të ngarkuarin me punë në Ambasadë, Michael Murphy.
Takimi i Thaçit me zyrtarin amerikan kishte ndodhur disa ditë pas pritjes që Sali Berisha i kishte bërë Ramush Haradinajt, në Tiranë, me të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi mes Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas kabllos diplomatike, Thaçi kishte përmendur se Berisha planifikon një vizitë në Prishtinë për vjeshtë të atij viti, dhe shtoi se “ai do ta mirëpriste një vizitë nga Berisha në Kosovë për të diskutuar marrëdhëniet bilaterale, por nuk kishte dëshirë ta shihte atë duke bërë fushatë në Kosovë për LDK-në, apo për opozitën e AAK-së”.
Nessun commento:
Posta un commento