Kreu i LDK-së, Nikollë Lesi, pranon ftesën e Nard Ndokës për t’u bashkuar me Partinë Demokristiane. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai thotë se është takuar me kreun e PDK-së, ku ka biseduar për shkrirjen e dy partive. Lesi flet edhe për ndryshimet në qeveri dhe zgjedhjet në Tiranë. Nard Ndoka, kryetar i PDK-së, ka kërkuar shkrirjen me LDK-në e drejtuar nga ju. A duhet të ketë bashkim?
Po, pasi kështu ndikojmë në politiken shqiptare për një administrim më të mirë të pushtetit dhe ruajmë të drejtën për të qenë edhe më oponentë, nëse do të jemi në qeveri.
Cilat do të ishin kushtet për një bashkim të tillë? Kur mund të ndodhë?
Oferta e z. Ndoka është bërë publike dhe tashmë ajo po sillet rrotull Kryesisë së LDK-së duke u diskutuar, pasi e vërteta mbetet se PDK dhe LDK në këto zgjedhje lokale morëm 73 mijë vota, por që konkurruam në dy fronte të ndryshme politike, madje krejtësisht kundërshtare. Nëse shprehemi me gjuhën e PD-së, e cila kur i intereson thotë se 10 mijë vota janë një deputet, e pra, sipas kësaj llogarie, kemi fituar 7 deputetë si front demokristian. Pyetja juaj lidhet me një përgjigje se kur do të jetë bashkimi i PDK dhe LDK nën siglën e vjetër të PDK. Nëse do të ketë bashkim, e që duhet të bëhet në një moment të përshtatshëm e të besueshëm për të dyja palët, kjo gjë do të thotë se LDK, por dhe partitë e tjera më të vogla demokristiane, që për hir të së vërtetës lulëzojnë me shumicë, duhet të rikthehen në strehën e PDK, por me rregulla të reja bashkëjetese. Z. Ndoka është takuar me mua dhe kemi biseduar me logjikë të ftohtë për mënyrën e bashkimit. E përsëris se duhet të shkohet në bashkim edhe për hir të numrit të votave që është sfidues për politikën shqiptare, por edhe për të mos çorientuar elektoratin tonë demokristian, që duhet pranuar se shumë vota ua kanë kaluar edhe partive të tjera, meqenëse kanë qenë të hutuar nga përçarja jonë katërvjeçare.
Nessun commento:
Posta un commento