OHËR- Presidenti i vendit, Bamir Topi ka shprehur besimin se pas përfundimit të zgjedhjeve, me fillimin e sezonit parlamentar të vjeshtës në Shqipëri, do nisë një fazë e re e dialogut politik në vend.
Deklarata është bërë sot gjatë takimit që Topi pati me homologun e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në kuadër të takimit që Presidentët e katër vendeve fqinjë të rajonit po zhvillojnë në Ohër, me ftesë të Presidentit maqedonas.
Topi krahas rëndësisë së thellimit të bashkëpunimit rajonal mes vendeve, është ndaluar në situatën politike në Shqipëri, me shpresën se “me fillimin e sezonit parlamentar të vjeshtës në Shqipëri, do nisë një fazë e re e dialogut politik në vend, në shërbim të të ardhmes integruese të vendit, që përfshin ndryshime në legjislacionin zgjedhor, por edhe në miratimin e ligjeve mjaft të rëndësishme për integrimin në Bashkimin Evropian”.
Presidenti Ivanov ka vlerësuar këtë iniciativë takimesh mes Presidentëve, të iniciuar nga Presidenti Topi, duke u shprehur se ajo që filloi në Vlorë si një proces, tani është një detyrim i cili duhet çuar përpara. Nëse ekziston dialog, bashkëpunim mes Presidentëve, kjo përcillet edhe në nivelet e tjera të dy vendeve, nënvizoi Presidenti Ivanov. Marrëdhëniet e mira dhe takime të tilla, japin mesazhe positive për bashkëpunimin shumë të mirë fqinjësor e ardhmërinë e rajonit tonë, vunë në dukje të dy Presidentët.
Presidenti maqedonas ndau të njëjtin mendim me Presidentit shqiptar se tashmë duhet të kalohet në një nivel më ambicioz të marrëdhënies mes dypalëshe, në drejtim të zhvillimit të biznesit e partneritetit dypalësh, në të mirë të qytetarëve të dy vendeve. Takime të tilla duhet të pasohen nga veprime konkrete të qeverive të vendeve respektive në funksion të ruajtjes e kultivimit të orientimit evropian në rajon, kanë vlerësuar të dy homolgët e vendeve fqinje, Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Nessun commento:
Posta un commento