Djaloshit i treten 15 vite jetë në zonën misterioze
Elbasan- I ashtuquajturi Trekëndëshi i Gramshit, një rajon i largët e misterioz që mbulon rreth 750 kilometra katrorë në zemër të Shqipërisë, ka qenë burim spekullimesh mes studiuesve të fenomeneve paranormale prej shumë kohësh. Por edhe pse shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje, një fakt është i sigurtë: Jeta e ish banorit të Elbasanit Trinjak Binjaku u tret brenda këtij rajoni të shumëpërfolur rreth 15 vite më parë, për të mos u kthyer kurrë. Sipas miqve dhe të afërmve, Binjaku, një i ri energjik 19 vjeçar asokohe, është parë për herë të fundit duke ngarë një makinë Golf 1 në rrethinat e Trekëndëshit, më datë 5 shtator 1996. Disa të dhëna njoftojnë se është parë të ndalojë pranë një kioske për të blerë një kruasan, një çokollatë Hilal dhe një paketë cigare Cooper, dhe megjithëse ky udhëtim supozohej të ishte një shëtitje me qejfin e makinës së sapoblerë, asnjë e re nuk u dëgjua më për djaloshin. Komunikimi i vetëm i njohur nga hetuesit, është bërë me telefon fiks diku nga brenda Trekëndëshit, dhe kishte lidhje me një martesë që i riu kishte në plan të bënte me një vajzë të këndshme e topolake të zonës misterioze. Por autoritetet nuk arritën dot ta lokalizonin saktë vendin nga ishte kryer telefonata, kjo ndoshta për arsye se zona në fjalë përkonte me një qytezë të vogël ku kishte zero shenja jete.
“Nuk e di nëse im bir do të rikthehet ndonjëherë në qytetërim”, pohon i trishtuar babai i djaloshit që sot do të ishte 34 vjeçar, Katërnjak Binjaku. “Kam dëgjuar zëra se kanë parë dikë që i ngjante djalit. Kishte pak flokë të rëna, ishte ngjallur disi në peshë dhe mbante tre fëmijë afër. Të tjerë spekulojnë sikur punon mësues në një fshat të humbur të atij Trekëndëshi të humbur, por këto janë thjesht legjenda. Nuk e di. Dua që shteti të më kthejë djalin”.
Sado intriguese të duket kjo histori, fakti është që Trinjak Binjaku është vetëm një nga dhjetra njerëzit që, për arsye të paditura, kanë tretur vite e madje dekada të tëra në rajonin misterioz. Shumë pak foto kanë dalë nga Trekëndëshi, dhe ato tregojnë njerëz të përhumbur që kanë ngulur vështrimin e zbrazët tej, në horizontin edhe më të zbrazët. Një studiues në universitetin e Elbasanit, dr. Beqir Beqiri, thotë se fenomenet e çuditshme të Trekëndëshit të Gramshit nuk do të kuptohen kurrë plotësisht. “Jo një makinë, por ka pasur raste që edhe furgona plot me pasagjerë janë zhytur në rajonin e Trekëndëshit, për të mos u kthyer më”, pohon ai.
Gjithsesi, legjenda e Trekëndëshit ka edhe skeptikët e saj. Shoferi i kamionit Pertef Suma, pohon se ka kaluar me qindra herë për arsye pune, në zonën që në hartë është shënuar si Trekëndëshi i Gramshit. “Unë kam parë vetëm fshatra normalë dhe njerëz që venë e vijnë për punët e tyre”, thotë Suma, “nuk e di, por këto janë mite që i sajojnë gazetarët për të shitur gazetat”. “Për mendimin tim, Gramshi nuk ekziston fare”, shtoi Suma.
Nessun commento:
Posta un commento