Skenari i keq…
Panorama e një qyteti të tillë tregon gati-gati një qetësi shpirtërore aq shumë të ëndërruar. Derisa… një lëkundje e fortë e nëntokës trondit gjithçka! Një tërmet i fortë, deri në 7 ballë i shkallës Rihter që, nisur nga pozicioni gjeografik i vendit tonë dhe nga përbërja gjeologjike e nëntokës së tij, është mëse i mundur, do të rrafshojë brenda pak sekondave… asgjë më shumë se qindra ndërtesat jashtë standarteve teknike dhe sigurisë normale që sot, presin të legalizohen! Kjo nuk është skena e një “apokalipsi” të përfytyruar nga ndonjë mendje e shthurur! Eshtë thjesht një parashikim që do të duhet të ishte marrë më seriozisht nga qeveria shqiptare e cila nisi plot 7 muaj më parë proçesin e shumëpërfolur të legalizimeve, pa përfilluar aspak zërat e shumtë kundër që erdhën nga grupet e interesit. Aktualisht, pas legalizimit të të parave shtëpi informale, duket se nëpunësit e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale e kanë të qartë se çdo të ndodhë në çdo hap të këtij proçesi. Por në një pikë, ata nuk janë fort të qartë: çfarë parashikon ky proçes për t’i bërë ballë një rreziku të tillë sizmik, që sipas specialistëve të Institutit Sizmiologjik është i mundur të ndodhë? Dhe mbi të gjitha, në ç’moment të këtij proçesi do të ndërhyhet për të siguruar nga ky rrezik ndërtimet e paligjshme në të gjithë territorin e vendit, shumica e të cilave janë ngritur pa respektuar standartet normale inxhinierike?
Tiranë-Durrës, rreziku më i madh
Në Institutin Sizmiologjik, drejtori prof. Dr. Shyqyri Aliaj, një ndër specialistët më të njohur të sizmiologjisë në Shqipëri duket sikur nuk shqetësohet më për një problem që ata të cilët kanë në dorë të bëjnë diçka, e neglizhojnë! Ai sqaron se mikrozonimi sizmik i Shqipërisë është bërë qysh përpara viteve ’90-të. “Ka studime të shumta dhe që detajojnë situatën sipas trojeve të ndryshme”, thotë Prof. Aliaj. Bashkia e Tiranës ka kërkuar disa vjet më parë, kur realizoi Konkursin Ndërkombëtar për Planin e Qendrës së Tiranës, një studim të detajuar të kësaj natyre. Por problemi, mesa duket nuk është qendra, atje ku pas vitit 1998 firmat ndërtuese zbatuan rigorozisht Ligjin e Urbanistikës duke kërkuar nga specialistët për secilin troj, edhe studimin përkatës. Problemi qëndron në perëndim të Tiranës, në drejtim të bregdetit, atje ku edhe pjesa më e madhe e zonave informale janë ngritur në këtë një dekadë e gjysëm.
“Orogjeni shqiptar, bashkohet në bregdet me Pllakën e Adriatikut dhe pikërisht kjo zonë, pra ajo bregdetare, është edhe zona me riskun më të madh sizmik”, pohon Aliaj. Zona e mësipërme e përplajses së orogjenit dhe pllakës Adrias është edhe zona ku potencialisht një tërmet mund të arrijë deri në 7 ballë të shkallës Rihter, i mjaftueshëm për të rrafshuar çdo ndërtim që është ngritur jashtë standarteve bazë inxhinierike. Shqipëria ndodhet në një periodë të qetë sizmike, e cila mund të zgjasë edhe 15-20 vjet. Ajo që vjen më pas, është e kuptueshme, është e kundërta e realitetit të sotëm. Profesori i njohur i Akademisë së Shkencave gjen kohën dhe mundësinë të bëjë madje humor, kur kujton në këtë kontekst një moment të një njeriu të zgjuar, i cili qante kur zbriste me lehtësi një tatëpjetë dhe qeshte kur ngjiste i rraskapitur një të përpjetë. “Po pse qan atëherë kur nuk duhet e qesh atëherë kur duhet të qash”, e pyetën njëherë këtë njeri të mencuar. Ai u përgjigj: “Sepse kur zbres, e di që do më duhet të ngjitem, kurse kur ngjitem jam i lumtur se pak më vonë do të zbres”…
Cilat ndërtime në Tiranë rrezikojnë më shumë?
- Të gjitha ndërtesat që janë ndërtuar pas tërmeteve të vitit 1979 dhe të vitit 1988, në njëfarë mënyrë nuk janë testuar asnjëherë nga ndonjë tërmet i fuqishëm, siç ishte ai i vitit 1988. Atëherë u dëmtuan mbi 2 mijë shtëpi në Tiranë, por pallatet që rezistuan treguan se janë të forta.
- Të gjitha ndërtesat mbi 7 kate janë automatikisht më të rrezikuara. Ndonëse ndërtesat në qendër të Tiranës apo brenda unazës janë ndërtuar sipas parametrave bashkëkohorë që synojnë të krijojnë sa më shumë rezistencë ndaj lëkundjeve të tokës. Një arsye tjetër pse ndërtesat e vjetra kanë mbijetuar pas tërmeteve, ka të bëjë edhe me faktin se në atë kohë pallatet nuk ishin më të mëdha se 5 kate, përveç Hotel Tiranës që pati shumë debate gjatë ndërtimit nëse do të mund t’i rezistonte ndonjë tërmeti apo jo.
- Të gjitha banesat që janë në proçes legalizimi, apo që janë legalizuar, përgjithësisht nuk janë ndërtuar sipas studimeve të mirëfillta. Shumë prej këtyre banesave rrezikojnë jo vetëm nga tërmetet, por edhe nga rrëshqitjet e tokës.
- Banesat me më shumë se tre katë të cilat në katet e para të tyre apo në katet e bodrumeve janë modikifuar, sidomos ato ndërtesa që kanë shfaqur edhe plasaritje apo çarje të ndryshme të mureve.
Nessun commento:
Posta un commento