Nga ora 9:00 e mëngjesit të ditës së djeshme me qindra qytetarë janë vënë në radhë për të siguruar biletat për ndeshjen Skënderbeu-Apoel.Biletat kanë elementë të lartë sigurie, por ndërkohë në tregun e zi është verifikuar se mund ti sigurosh fare lehtë kundrejt një çmimi disa herë më të lartë se ai reali. Ajo që e ka bërë më të pazakontë shitjen e këtyre biletave ka qenë prania e forcave të Policisë së Korçës. Efektivat e grupit të gatshëm janë instaluar që herët në mëngjes para ambienteve të stadiumit duke pasur situatën nën kontroll, ndërsa kërkesat për bileta kanë qenë shumë të larta. Por, drejtuesit e kompanisë private që menaxhojnë stadiumin “Skënderbeu” për takimin me Apoel dhe për shitjen e biletave, nuk kanë nxjerrë aspak në treg bileta të tribunës VIP si dhe të seksionit A dhe B në stadium. Ky duket se është rast i paprecedent, ndërkohë që përflitet se çmimi për bileta nga këto pjesë të stadiumit do të jetë shumë i lartë. Ndërkaq, gjatë të dielës janë shitur bileta vetëm për C-në që është pjesa ku qëndrojnë ultrasit si dhe tek D-ja. Burime të mirëinformuara bëjnë të ditur për gazetën se për këtë takim do të shiten afro 10 mijë bileta, ndonëse kapaciteti i stadiumit është për afro 7 mijë vende. Ndërkaq, ka nisur aktivizimi i tregut të zi, teksa gjatë së dielës me dhjetëra banorë të Korçës janë shprehur të indinjuar për mënyrën e shitjes së biletave si dhe mosfunksionimin e këtij procesi. Në fakt, kompania private që merret me shitjen e biletave jo vetëm që nuk ka qenë aspak transparente, pasi nuk ka sjellë asnjë bletë të pjesës kryesore të stadiumit për A dhe B-në, por nuk ka qenë aspak efektive në shpërndarjen e biletës hyrëse për në stadium. Persona të ndryshëm kanë marrë një numër të lartë biletash në shumë raste nga 100 apo 200 copë, teksa nga ana tjetër çmimet kanë qenë shumë të larta.
Skënderbeu, 150 mijë euro premio për kualifikimin
Drejtuesit e Skënderbeut janë duke menduar për një nga premiot më të mëdha për lojtarët në historinë e këtij klubi nëse bardhekuqtë fitojnë ndeshjen. Shuma është rreth 150 mijë euro, ndërkohë që drejtuesit e ekipit preferojnë të mos e bëjnë atë publike për momentin. Por, nga ana tjetër, numri një i presidencës korçare nuk e mohon faktin që do të ketë premio për ekipin e kampionëve. Në fakt, gjatë kampionatit të kaluar ku korçarët sollën një trofe të madhe në qytetin juglindor, atë të kampionatit, presidenti Zeqo nuk ka aplikuar premio madje nuk ka preferuar të fliste fare për to, megjithëse ka pasur shpërblim për lojtarët për fitore të rëndësishme të tyre. Këtë herë është krejt ndryshe, ndaj një premio prej 150 mijë eurosh do t’i ngrohë shumë më tepër lojtarët e Skënderbeut për të dhënë më të mirën në fushën e blertë dhe për të rrëmbyer fitoren.
Nessun commento:
Posta un commento