Në paketën e re fiskale është vendosur heqja e taksës së qarkullimit për makinat dhe aplikimi i saj në çmimin e naftës.Sipas projektligjit, taksa e qarkullimit do të paguhet sa herë që përdoruesit e makinave do të furnizohen me karburant. Pra, sa herë qarkullojnë. Aktualisht, taksa e qarkullimit është 7 mijë lekë në vit për makinat e benzinës dhe 10 mijë lekë në vit për makinat me naftë. Në projektligjin e ri, parashikohet që taksa të konvertohet në një shtesë prej 5 lekësh për çdo litër naftë ose benzinë. Pas datës 1 janar kjo shtesë bëhet 7 lek/litër. Qeveria, në taksën e re të qarkullimit nuk ka bërë diferencim mes benzinës dhe naftës.
Qeveria rrit të ardhurat
Sidoqoftë, të ardhurat nga aplikimi i taksës së re të qarkullimi për qeverinë janë shumë më të mëdha. Në relacionin e Financave parashikohet që të ardhurat nga taksa shtesë të jenë 1.2 miliardë lekë, vetëm për katër muaj dhe 4.9 miliardë lekë gjatë vitit 2012. Këtu nuk përfshihet aplikimi i TVSH. Taksa e re e qarkullimit është 5 lekë/litër, por ajo aplikohet në çmimin e karburantit dhe asaj i shtohet edhe 20% TVSH. Pra, taksa e re është 6 lekë për litër, deri në fund të vitit dhe 8.4 lekë nga fillimi i vitit tjetër. Në të vërtetë, Financat do të marrin në buxhet jo 1.2 miliardë lekë, por 1.44 miliardë lekë ose 14.4 milionë USD. Ndërsa për vitin 2012 do të marrin 5.88 miliardë lekë ose 58.8 milionë USD. Sipas këtyre të dhënave, konsumi mesatar mujor i karburantit është rreth 60 milionë litra në muaj.
Në Shqipëri janë të regjistruara rreth 412 mijë automjete. Kuptohet që jo të gjitha automjetet janë në qarkullim, pra paguajnë taksën e qarkullimit. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shërbimit Rrugor, rreth 165 mijë automjete ose rreth 40 për qind e numrit total nuk paguajnë taksën e regjistrimit dhe të qarkullimit (këto automjete mund të jenë në qarkullim në mënyrë ilegale). Me një llogari të thjeshtë, çdo vit janë rreth 250 mijë automjete që paguajnë 7 mijë lekë, ato me benzinë dhe 10 mijë lekë ato me naftë, si taksë qarkullimi. Në vend, 80 për qind e makinave janë me naftë, pra rreth 200 mijë makina janë me naftë dhe paguajnë rreth 20 milionë USD në vit taksë qarkullimi. Pjesa tjetër, rreth 50 mijë, janë me benzinë dhe paguajnë 3.5 milionë USD, si taksë qarkullimi. Në total, qeveria arkëton rreth 23.5 milionë USD në vit nga taksa e qarkullimit. Me aplikimin e taksë së re, të ardhurat do të arrijnë në 58.8 milionë USD, pra më shumë se dyfishi.
Krahasimi i taksës
Për ta bërë më të thjeshtë llogaritjen, po marrim një shembull të një makine me naftë 2000 kubik, e vitit 1996. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, shumica e makinave në vend janë mbi 14-vjeçare. Aktualisht, përdoruesi i makinës paguan 10 mijë lekë taksë qarkullimi dhe 2.4 mijë lekë taksë regjistrimi. Në total, 12.4 mijë lekë në vit.
Supozojmë që makina kryen 15 mijë kilometra udhëtim në vit me një mesatare konsumi prej 10 litrash për 100 kilometra. Mesatarisht kjo makinë konsumon 1500 litra karburant në vit. Me aplikimin e taksës së re të qarkullimit pronari i makinës do të paguajë për çdo litër karburant 8.4 lekë. Për 1500 mijë kilometrat e kryera ai do të paguajë 12600 lekë si taksë qarkullimi. Pra, 2600 lekë më shumë në vit. Por nuk mbaron me kaq. Taksa e regjistrimit me paketën e re fiskale hiqet, por shtohet taksa e makinave të përdorura. Kjo e fundit llogaritet duke shumëzuar cilindratën me koeficientin e vitit të prodhimit dhe me koeficientin e naftës ose benzinës. Në rastin e shembullit kemi: 2000 (cilindrata) x 0.4 (koefiçienti për 14 vite përdorim) x 25 (koefiçienti për naftën). Ai do të paguajë edhe 20 mijë lekë si taksë për makinat e përdorura. Në total, në fund të vitit, një person me një makinë 2000 kubik nafte 14-vjeçare, i cili konsumon mesatarisht 10 litra karburant/100 kilometra, do të paguajë 32600 lekë në vit, nga 12400 që paguan aktualisht. Pra, 20200 lekë më shumë.
Nessun commento:
Posta un commento